A. Të drejtat e pasagjerëve për transportin me autobus dhe minibus

Në këtë faqe mund të gjesh gjithçka rreth të drejtave të tua ligjore si pasagjer në transportin me autobus. Qasja me fokus klientin është përparësia jonë kryesore. Prandaj, mos hezito të na kontaktosh në rast se ke vërejtje gjatë udhëtimit. Thjesht kontakto stafin tonë të shërbimit. Jemi gjithnjë të interesuar për të gjetur zgjidhjen ideale për problemet e pasagjerëve tanë dhe për të kënaqur klientët tanë mbi dhe përtej të drejtave të pasagjerit.

Mund të kontaktosh përmes formularit të kontaktit.

Do të paraqesësh një kërkesë për rimbursim në përputhje me të drejtat evropiane të pasagjerit?
Plotëso Formularin e të Drejtave të Pasagjerit dhe dërgoje me postë së bashku me faturat origjinale, në adresën e cilësuar në formular. Faleminderit!

Të Drejtat e Pasagjerit sipas Rregullores (BE) Nr. 181/2011

E drejta për Kushte Jo Diskriminuese të Kontratës së Transportit

Kur blen bileta për shërbimet e transportit të pasagjerëve me autobus dhe minibus, askush nuk duhet të diskriminohet drejtpërdrejtë ose tërthorazi për shkak të kombësisë apo vendit të themelimit të kompanisë së transportit apo të shitësve të biletave në Bashkimin Evropian.
Në transportet e udhëtimeve të gjata, transportuesi lëshon një biletë për pasagjerin (mundësisht në formë elektronike), përveç atyre rasteve kur pasagjeri ka dokumente të tjera që i japin të drejtën për transport.

E drejta për informim

Të gjithë pasagjerët në itinerarin e autobusit kanë të drejtë të informohen sa duhet gjatë të gjithë udhëtimit. Kjo përfshin të drejtën e informimit për të drejtat e pasagjerit dhe informimin mbi të dhënat e kontaktit të organeve shtetërore zbatuese.
Personave me aftësi të kufizuar dhe me lëvizshmëri të kufizuar do t'u jepet i gjithë informacioni i përgjithshëm përkatës dhe kushtet e transportimit, në mënyrë të kuptueshme, si p.sh. me shkronja të mëdha, gjuhë të thjeshtë, gjuhë për të verbrit, si një regjistrues zëri).
Në rast anulimi ose shtyrjeje të një udhëtimi të gjatë, transportuesi ose operatori i stacionit të autobusit do të njoftojë pasagjerët që nisen nga një terminal, sa më shpejt të jetë e mundur, por gjithsesi, të paktën 30 minuta pas orarit të nisjes së programuar, për situatën e krijuar dhe do t'u japë orarin e parashikuar të nisjes sapo ky informacion të bëhet i disponueshëm. Nëse pasagjerët humbasin një linjë gjatë shërbimit tranzit, atëherë organet menaxhuese të terminalit do të bëjnë çdo përpjekje të arsyeshme për t’i informuar ata për linjat alternative. Aty ku është e mundur, transportuesi e përcjell këtë informacion edhe në mënyrë elektronike, nëse pasagjeri e kërkon këtë dhe i jep transportuesit të dhënat e nevojshme të kontaktit.

E drejta për kompensim dhe asistencë në rast aksidentesh

Në shërbimin në linja të largëta, pasagjerët kanë të drejtën e kompensimit në rast vdekje apo dëmtimi personal dhe humbje ose dëmtim të bagazheve, si pasojë e aksidentimit të autobusit apo minibusit. Kushtet dhe vlera e kompensimit janë objekt i legjislacionit të brendshëm në fuqi; vetëm disa vlera të caktuara minimale përcaktohen në Rregullore. Kompensimet nuk janë automatike, ekzekutimi i tyre i nënshtrohet shqyrtimit në gjykatat kombëtare, nëse është e nevojshme.
Transportuesi do të japë ndihmën e arsyeshme e të përshtatshme pas një aksidenti në shërbimin e linjës së gjatë, lidhur me nevoja të menjëhershme praktike të pasagjerëve. Kjo ndihmë përfshin akomodimin, ushqimin, veshje, transportin dhe ndihmë të parë.

E drejta për të vazhduar udhëtimin, ose udhëtim me ripërcaktim të itinerarit dhe për rimbursim të biletës për anulim ose vonesë të gjatë

Në rast të rezervimit mbi kapacitetin e lejuar ose nëse transportuesi duhet të supozojë në mënyrë të arsyeshme që nisja e një shërbimi të rregullt * anulohet ose vonohet me më shumë se 120 minuta, atëherë pasagjerët në linjën e gjatë kanë të drejtën e zgjedhjes për të vazhduar me itinerarin e ri deri në destinacionin e tyre final pa tarifë shtesë, sa më shpejtë të jetë e mundur dhe me kushte të ngjashme ose t'u rimbursohet çmimi i plotë i biletës dhe, kur është e përshtatshme, të përfitojnë sa më shpejtë të jetë e mundur një udhëtim falas kthimi në vendin e nisjes të përcaktuar në kontratën e transportit.
Kjo përzgjedhje është e disponueshme për pasagjerët, edhe kur shërbimi i rregullt anulohet ose nisja e një autobusi vonohet për më shumë se 120 minuta.
Nëse në situatën në fjalë, transportuesi nuk u ofron pasagjerëve zgjedhjen mes rimbursimit të çmimit të biletës dhe vazhdimit të udhëtimit me itinerar të ripërcaktuar, atëherë ata kanë të drejtën e një kompensimi të barabartë me 50% të biletës.
Ky pretendim për kompensim dhe çdo rimbursim bilete nuk përjashton të drejtën e pasagjerëve për të ndjekur në gjykatat kombëtare, në përputhje me ligjin kombëtar, pretendime për shkak të pengesave që ata përjetuan si pasojë e anulimit ose vonesës së shërbimeve të rregullta.
Nëse autobusi del jashtë përdorimi gjatë udhëtimit, atëherë transportuesi do të dërgojë një autobus tjetër në vendin ku gjendet automjetin jashtë përdorimi për të dërguar pasagjerët ose në destinacionin e tyre ose në një pikë të përshtatshme pritjeje apo terminal, nga ku mund të vazhdojë udhëtimi i tyre.

E drejta për asistencë gjatë anulimit ose vonesës në nisje

Në udhëtime në linja të gjata me një kohëzgjatje prej më shumë se tre orësh, pasagjerët kanë të drejtën të marrin ndihmën e duhur, nëse udhëtimi anulohet ose nisja nga një terminal vonohet më shumë se 90 minuta. Kjo përfshin ushqime të lehta, vakte dhe pije freskuese si dhe akomodim nëse është e nevojshme. (Transportuesi mund të kufizojë koston totale të akomodimit për pasagjer në 80 € nata për maksimumi dy netë. Ai nuk është i detyruar të pranojë shpenzimet e akomodimit, nëse anulimi ose vonesa shkaktohet nga kushtet e këqija të motit ose fatkeqësi të rënda natyrore.)

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, me lëvizshmëri të kufizuar **

Për personat me aftësi të kufizuar dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar zbatohen të drejtat e përgjithshme të pasagjerit për udhëtimin me autobus, si dhe të drejtat vijuese, në mënyrë që ata të mund të përdorin të njëjtat mundësi udhëtimi si shtetasit e tjerë.

a) E drejta e personave me aftësi të kufizuar dhe e personave me lëvizshmëri të kufizuar për të pasur akses në shërbime pa kosto shtesë

Transportuesit, agjentët e udhëtimeve ose operatorët e tureve nuk mund të vendosin tarifë shtesë për rezervimet dhe biletat për personat me aftësi të kufizuar dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar.
Po kështu, atyre nuk iu lejohet të refuzojnë kryerjen e rezervimeve apo prerjen e biletave apo ta nxjerrin personin jashtë bordit të mjetit për shkak të aftësisë së tij të kufizuar apo për shkak të lëvizshmërisë së tij të kufizuar. Sipas rregulloreve në fuqi për sigurinë e pasagjerit apo kërkesave mbi shëndetin dhe sigurinë të vendosura nga autoritet kompetente, përjashtimet lejohen vetëm nëse transportimi i një personi me aftësi të kufizuar apo i një personi me lëvizshmëri të kufizuar nuk do të ishte i mundur ose nëse nuk mundësohet për shkak të dizajnit të automjetit ose infrastrukturës për të transportuar personin me aftësi të kufizuar ose personin me lëvizshmëri të kufizuar në mënyrë të sigurt e të realizueshme nga ana operacionale.
Nëse një transportues, agjent udhëtimesh ose operator turesh në linjat e gjata refuzon të bëjë rezervimin, të presë biletën ose të marrë një pasagjer në bordin e automjetit, për shkak të arsyeve të mësipërme, atëherë ai do të njoftojë menjëherë pasagjerin - dhe kur të shkruajë kërkesën - të japë arsyet pse. Për më tepër, ai do të njoftojë personin në fjalë në rast refuzimi për të pranuar një rezervim ose për të prerë një biletë përmes çdo shërbimi të pranueshëm alternativ që operohet nga transportuesi. Nëse është e mundur të korrigjohen arsyet për të cilat pasagjerit i është refuzuar rezervimin ose hipja në autobus, për shembull duke pasur një person të pranishëm që mund të ofrojë ndihmën e kërkuar, atëherë pasagjeri ka të drejtën të kërkojë që shoqëruesi të udhëtojë falas.
Nëse një personi me aftësi të kufizuar apo me lëvizshmëri të kufizuar, i cili ka një biletë ose rezervim dhe e ka informuar rregullisht transportuesit për nevojën e tij të veçantë për ndihmë, dhe përsëri i refuzohet transporti për linja të gjata, atëherë ai person sipas zgjedhjes së tij mundet ose të kërkojë rimbursim të biletës ose - nëse janë të disponueshme shërbimet e përshtatshme - vazhdimin e udhëtimit.
Transportuesit dhe operatorët e terminalit ofrojnë kushtet jodiskriminuese aksesi për transportimin e personave me aftësi të kufizuar dhe të personave me lëvizshmëri të kufizuar. Ata duhet t’ia ofrojnë këto kushte publikut dhe sipas kërkesës të jenë fizikisht të disponueshëm për pasagjerin.

b) E drejta për asistencë të veçantë

Në linjat e gjata, transportuesit dhe operatorët e terminalit duhet që brenda fushës së tyre të kompetencave të ndihmojnë personat me aftësi të kufizuar dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar.
Personat me aftësi të kufizuar dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar do të njoftojnë transportuesin të paktën 36 orë para për nevojën e tyre për asistencë të veçantë dhe të mbërrijnë në orën e caktuar përpara nisjes (maksimumi 60 minuta përpara) në vendndodhjen e caktuar të stacionit të autobusit.

c) E drejta për kompensim për pajisjet e humbura ose të dëmtuara të lëvizshmërisë

Nëse, për faj të transportuesit ose operatorit të terminalit, ndodh humbja ose dëmtimi i pajisjeve të lëvizshmërisë (karrige me rrota ose pajisje të tjera ndihmëse), duhet të jepet kompensim, i cili përkon me vlerën e zëvendësimit të pajisjeve përkatëse ose me kostot e riparimit.
Kur është e nevojshme, do të bëhet çdo përpjekje të siguruar zëvendësimin e përkohshëm të pajisjeve të humbura ose të dëmtuara të lëvizshmërisë.
 

B. Të drejtat e udhëtarëve të transportit hekurudhor sipas Rregullores (KE) nr. 1371/2007

1. Në blerjen e një bilete treni, çmimi nuk duhet të varet nga shtetësia e udhëtarit apo nga vendi i blerjes së biletës.

2. Të drejtat e udhëtarëve të transportit hekurudhor janë njëlloj të barabarta për të gjitha udhëtimet me tren dhe shërbimet hekurudhore brenda Bashkimit Evropian. Vendet evropiane kanë të drejtë të vendosin vetë nëse këto të drejta do të zbatohen edhe për trenat që qarkullojnë brenda vendit (transport me shina brenda qytetit, trenat lokalë dhe rajonalë etj.), si dhe për trenat ndërkombëtarë me stacion nisjeje dhe destinacioni jashtë BE-së.

Anulimi ose vonesa

Kur një tren anulohet ose vonohet, udhëtarët kanë gjithmonë të drejtën të marrin informacionet e duhura ndërsa janë duke pritur.

Nëse udhëtari njoftohet se do të arrijë në stacionin e destinacionit me të paktën 1 orë vonesë, ai gëzon të drejtat si më poshtë:

  • Të anulojë udhëtimin dhe të kompensohet menjëherë për kostot e biletës së udhëtimit (të çmimit të plotë ose, sipas rastit, vetëm për pjesën e papërdorur).
  • Gjithashtu, udhëtari gëzon të drejtën që, sipas rrethanave, të kërkojë një udhëtim kthimi për në pikën e nisjes së udhëtimit, kur për shkak të vonesës qëllimi i udhëtimit të tij nuk mund të përmbushet më, ose
  • të kërkojë transportimin për në destinacionin e tij në momentin më të parë të mundshëm (ose në një moment të mëvonshëm, sipas zgjedhjes së tij). Këtu përfshihet edhe transporti zëvendësues në rastet kur treni bllokohet dhe ndërpritet funksionimi i transportit hekurudhor.
  • Ushqimi dhe pijet freskuese (në varësi të kohëzgjatjes së pritjes) dhe
  • akomodimi, kur është i detyruar të kalojë natën.

Kur udhëtari vendos që ta vazhdojë udhëtimin e tij sipas planifikimit ose që të marrë një transport zëvendësues për në destinacionin e tij, në varësi të rrethanave, ekziston e drejta e një dëmshpërblimi në masën

  • 25% të çmimit të udhëtimit kur treni ka vonesë 1 deri në 2 orë,
  • 50% të çmimit të udhëtimit kur treni ka vonesë më të madhe se 2 orë.

Udhëtari nuk përfiton asnjë dëmshpërblim kur ai është informuar për vonesën përpara blerjes së biletës.

Kompesimi do të paguhet vetëm nëse totali, pas heqjes së kostove të shërbimit, është më tepër se 4 euro.

3. Bagazhi i humbur ose i dëmtuar i udhëtimit

Kur bagazhi i regjistruar humbet ose dëmtohet gjatë udhëtimit, ekziston e drejta e kërkesës për dëmshpërblim, përveç rastit kur bagazhi ka qenë paketuar në mënyrë të pamjaftueshme, ka qenë i papërshtatshëm për transport ose ka qenë një bagazh shumë i veçantë.

Vlera e dëmshpërblimit:

  • deri në 1300 euro për bagazh të regjistruar – kur mund të vërtetohet vlera e objekteve brenda në bagazh.
  • deri në 330 euro për bagazh, kur ju nuk mund të vërtetoni vlerën e objekteve brenda në bagazh.

Nëse një udhëtar plagoset ose humb jetën në një aksident hekurudhor, ai (ose të afërmit e tij) gëzojnë të drejtën e kërkesës për dëmshpërblim për bagazhin e humbur ose të dëmtuar të marrë me vete, në një vlerë maksimumi deri në 1500 euro.

4. Lëndimi i personave dhe humbja e jetës

Nëse një udhëtar plagoset ose humb jetën në një aksident hekurudhor, ai (ose të afërmit e tij) gëzojnë të drejtën e kërkesës për dëmshpërblim me pagesë paradhënie brenda 15 ditësh nga aksidenti për të mbuluar shpenzimet e drejtpërdrejta të udhëtarit (ose të të afërmve të tij).

Në rastin e humbjes së jetës, kjo pagesë paradhënieje arrin minimumi deri në 21 000 euro për person.
 

C.

E drejta për të bërë ankim kundër transportuesit ose Organit Kombëtar të Zbatimit

Pasagjerët mund të paraqesin ankesa brenda tre muajve pas implementimit aktual ose të planifikuar të një shërbimi autobusësh te transportuesi. Transportuesi do të njoftojë pasagjerin brenda një muaji nga marrja e ankimit, nëse ankimi është i mbështetur, nëse ai është refuzuar apo vazhdon të jetë në procedim. Brenda tre muajve nga marrja e ankimit, ai duhet të dërgojë një përgjigje përfundimtare.
Këto periudha të përmendura nuk zbatohen kur bie fjala për çështje që lidhen me kompensimin në rast vdekje ose lëndimi personal dhe humbjen apo dëmtimin e bagazheve për shkak të aksidenteve.

Zbatimi i të drejtave të pasagjerit

Çdo shtet anëtar cakton një organ ose disa organe përgjegjëse për zbatimin e të drejtave të parashikuara në rregullore.
Agjencia kombëtare e zbatimit është përgjegjëse për zbatimin e rregullores lidhur me shërbimet e rregullta të autobusëve brenda territorit të shtetit anëtar dhe shërbimet e autobusëve nga një vend i tretë drejt këtij territori.
Çdo pasagjer mund të bëjë një ankim për një shkelje të pretenduar të rregullores para organit përkatës kombëtar të zbatimit. Një shtet anëtar mund të vendosë që pasagjeri duhet së pari të bëjë një ankim te transportuesi; në këtë rast organi kombëtar i zbatimit shërben si një organ apeli për ankesa për të cilat nuk është gjetur zgjidhje.


Zyra e ankesave për udhëtarët me autobus


Zyra e ankesave për udhëtarët me tren

 

* Kjo dispozitë nuk zbatohet për pasagjerët që kanë bileta me data të hapura udhëtimi, për sa kohë që nuk është caktuar një orar nisjeje, me përjashtim të pasagjerëve që kanë biletë sezonale.
** Shtetet Anëtare mund të përjashtojnë shërbime të rregullta brenda vendit nga zbatimi i dispozitave për personat me aftësi të kufizuar dhe personat me lëvizshmëri të kufizuar, me kusht që ata të sigurojnë se niveli i mbrojtjes për këta individë përkon me atë të rregullores në legjislacionin e tyre kombëtar.

Burimi:  Komisioni Evropian